Permbytet Shkodra nga hapja e portave te HC ..


Hidrocentralet hapin portat, përmbyten  lagjet në Shkodër
Reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë vazhduar intensivisht gjatë gjithë ditës së sotme, kanë rritur prurjet në Kaskadën e Drinit, duke detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare që ta hapë portat e HEC-eve dhe të nisë shkarkimin e ujit, duke rrezikuar më së shumti Shkodrën, e cila nëse reshjet vazhdojnë me prurje të larta, rrezikon të përjetojë sërish përmbytjet e vitit 2010.

Ndërkohë që i gjithë vendi është karakterizuar nga përmbytje të rrugëve e në disa zona edhe të banesave, si pasojë e motit të keq. Qyteti i Lushnjes fatkeqësisht ka shënuar një viktimë, një 50-vjeçar të goditur për vdekje nga një rrufe teksa flinte gjumë në banesën e tij. Lumi Vjosë, i cili ka dalë nga shtrati, ka shpallur gjendjen e alarmit jo vetëm në Vlorë, ku ka nisur evakuimi i banorëve në Noveselë, por edhe Fierin i cili ndjehet i kërcënuar.

Niveli i lartë i ujit në liqenin e Fierzës ka detyruar Hidrocentralin e Fierzës, ndërtuar mbi Drin, që të hapë portat e shkarkimit drejt HEC-eve të Vaut të Dejës dhe Komanit.

Korrespondenti i televizionit A1 REPORT në Shkodër, Admir Agolli, informoi se nga hidrocentrali i Vaut të Dejës kanë nisur shkarkimet sot në 08:30, ndërsa portat shkarkonin fillimisht 250-300 m3 ujë për sekondë. Nuk kaloi shumë dhe u njoftua se janë hapur edhe portat e hidrocentralit të Komanit nga ku u shkarkuan fillimisht nga 600 metër kub në sekondë. Të njëjtën rrugë ndoqën edhe hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit, ku derdhjet ishin rreth 300 m3 ujë për sekondë

Shefi i Emergjencave Civile në Shkodër, Pëllumb Dani, në një prononcim për mediat theksoi se Emergjencat Civile janë në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të situatës, duke siguruar paradite banorët se nuk ka asnjë rrezik për përmbytjen e banesave të tyre. Por gjatë orëve të pasdites, nuk u fol më vetëm për qindra hektarë të përmbytur, por edhe për banesa të përmbytyra e banorë të rrezikuar.

Jo vetëm zona e NënShkodrës, por edhe brenda në qytetin e Shkodrës kanë filluar problemet dhe situatë mjaft e rënduar paraqitet në lagjen Bahçallëk, niveli i ujit me sy të lirë ka arritur deri në 30-40 cm, duke përmbytur kështu katet e para të banesave. Pasi situata është përkeqësuar, Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë në qytetin e Shkodrës kanë shkuar pranë zonave problematike për të ndihmuar banorët në rast evakuimi. Aktualisht janë evakuuar 4 familjet e para në Vukatan të komunës Guri i Zi. Aksi Shkodër-Lezhë është bllokuar për të gjitha automjetet e vogla, ndërsa nga momenti në moment ka rritje të nivelit të ujit i cili deri më tani ka arritur mbi 50 cm.

Niveli i Drinit ka ardhur duke u rritur për shkak të shkarkimeve nga HEC Vau i Dejës dhe Koman. Kjo shihet dhe me sy të lirë pranë urës së Bahcallekut ndërkohë që problemet e para u shfaqën në komunën Ana e Malit, ku uji ka dalë nga shtrati i lumit Buna. Probleme janë shfaqur edhe në Komunën e Berdicës në tokat e Trushit të Poshtëm si dhe pranë urës së Gjo Lulit.
 
Copyright Blue Line NEWS Te gjitha te drejtat e rezervuara
Mundesuar nga A.Brazhda
-
.